IKMT zbarkon në rrugën e Arbrit, shemb objektet e ndërtuara pranë rrugës
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zhvilluar një aksion për shembjen e objekteve të ndërtuara përgjatë rrugës së Arbrit. Aksioni ka vazhduar me shembjen e objekteve që ishin ndërtuar nga rreth-rrotullimi në fshatin Fshat dhe në të gjithë segmentin e Xibrit. IKMT ju dha kohë pronarëve që të bënin çmontimin e objekteve në mënyrë vullnetare, ndërsa në fund ndërhyri me prishjen e konstrukteve.
Shumë prej objekteve ishin në konstrukt të çmontueshëm, por pati edhe objekt të ndërtuar me beton e hekur. Edhe në këtë rast, IKMT veproi me të njëjtat mjete për ta shembur.
Banorët nga ana e tyre e quajtën të padrejtë këtë aksion të IKMT pasi sipas tyre ndërtimet nuk cënonin hapsirën publike pasi ishin më larg në distancë nga rruga nacionale se sa minimumi i përcaktuar nga ligji në fuqi. Megjithatë, ata nuk i bënë rezistencë këtij aksioni.
Aksioni për shembjen e objekteve të ndërtuara përgjatë rrugës së Arbrit u zhvillua nga inspektoriati rajonal për Qarkun Dibër, mbështetur nga inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme.