Megjithëse ka patur reshje shiu të vazhdueshme nga data 20 Prill, livadhet e Ketit në fshatin Xibër – Hane të Bashkisë Klos kanë pritur edhe këtë vit me qindra vizitorë. Të interesuar për lulen aromë-mirë, turistët kanë qenë të shumtë, ku kanë ardhur edhe nga trojet shqipfolëse në vendet fqinje. Jashtë kameras vendasit tregojnë se interesimi për të parë “Livadhet e Ketit” ka qenë i jashtëzakonshëm, jo vetëm fundjavave por edhe gjatë ditëve të javës. Në mënyrë të organizuar apo jo, këto livadhe kanë patur çdo ditë vizitorë deri në mbylljen e ciklit të lules së poetit. Nga ana tjetër, lënia e mbeturinave në këto livadhe është kthyer në një problem pasi për shkak të largësisë nga rruga nacionale, nuk mundet t’i tërheqë askush, ndaj dhe apeli shkon për të gjithë ata që do t’i vizitojnë “Livadhet e Ketit” sërish vitin e ardhshëm, t’i marrin mbeturinat me vete.