Rekamë

Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar pasditen e së dielës në fshatin Koçaj të njësisë administrative Fushë Bulqizë. Vatra e zjarrit u pikas në vendin e quajtur “Livadhet e Karajt” në një terren të thepisur. Zjarrfikësit e Bulqizës e patën të pamundur ndërhyrjen me automjet për shuarjen e flakëve, ndërsa punuan me pompa shpine dhe mjete rrethanore. Po ashtu, u kërkua edhe ndërhyrje me helikopter nga ajri. Pasi shumë orësh pune është arritur neutralizimi i flakëve që përhapeshin me shpejtësi nga era e fortë, ndërsa vatra e zjarrit është riaktivizuar këtë të hënë. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se gjatë së dielës kanë qenë dy vatra zjarri aktive.

Ndërkohë, Policia e Dibrës njoftoi këtë të hënë se strukturat hetimore të Policisë, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariat të shtetasit  R.L, banues në fshatin Koçaj, autori i dyshuar i zjarrvënies. Në përfumdim të veprimeve të para hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe ndaj tij nisi procedimi penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.