Shumë fshatra në qarkun e Dibrës i gjen me ndërtesa të rrënuara për shkak të braktisjes masive nga ana e banorëve prej vitesh. Por ndryshe është situata në fshatin Homesh të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë. Në këtë fshat shumë shtëpi janë ndërtuar krejtësisht të reja, madje edhe vila dhe shumë pak ka banesa të cilat janë rrënuar. Por kjo nuk ndryshon asgjë sa i përket largimit të banorëve. Vilat e bukura, që janë ndërtuar nga emigrantët, qëndrojnë bosh, pasi askush nuk jeton në to. Ato pak banorë të mbetur ende në fshatin Homesh janë të moshës së tretë dhe jetojnë pa fëmijët e tyre. Dikur fshati kishte me qindra fëmijë e të rinj, por sot është kthyer si një fshat azilantësh. Të moshuarit e mbetur ende në fshat i kanë humbur shpresat për rikthimin e atyre banorëve që janë larguar në emigracion.
Ndryshe nga shumë fshatra të tjerë në Bulqizë, Homeshi ndodhet pranë rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi, por mungesa për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre, ka bërë që të rinjtë por jo vetëm, ta braktisin fshatin.