Mjeku i mirënjohur matjan Shaban Disha është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme këtë të enjte. Mjeku anastezist-reanimator që punoi për 25 vite në spitalin e Burrelit ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë në moshën 59 vjeçare. Ai prej një viti po kurohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por nuk arriti ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë. Doktor Shabani e ka nisur kontributin e tij si mjek i përgjithshëm fillimisht në Njësinë Xibër ku punoi me përkushtim për disa vite me radhë. Më pas ai do të specializohej në fushën e anestezisë ku për 25 vite punoi si mjek reanimator pranë spitalit të Burrelit në repartin e kirurgjisë.

Ndërkohë me një mbledhje të jashtëzakonshme Bashkia Mat dhe Këshilli Bashkiak e dekoruan mjekun Shaban Disha me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Hasan Ceni tha se doktor Shabani do t’i mungojë fizikisht gjithë kolegëve dhe popullit matjan, por jo në shpirt.

Ndërkohë, Kryetarja e Këshillit Bashkiak Elisa Gjasta dhe Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj i dorëzuan familjes titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat për mjekun Shaban Disha, ndërsa nga familja fjalën e rastit e mbajti vajza e doctor Shabanit, Luljeta.

Në nderim të veprës dhe punës së doktor Shabanit, qindra qytetar morën pjesë në homazhet e zhvilluara pranë spitalit Bashkiak Mat.

Përveçse ishte një mjek profesionist që punoi në kohë të vështira duke shpëtuar dhjetra jetë njerëzish, Shaban Disha ishte një qytetar model i Burrelit dhe një prind  i përkushtuar. Ai la pas bashkëshorten dhe katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Mat Televizion i shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Disha për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të njeriut të tyre të dashur!Dritan Kurti