Misteret e vdekjes së tre anëtarëve të familjes Tola në fshatin Ostren i Madh të Bulqizës, kanë çuar në pista të dyshimta grupin hetimor. Mësohet se këta të fundit veç kampioneve të ushqimit, kanë marrë me vete edhe një shishe me pesticide, rreth 50 gramëshe të cilën e kanë gjetur në një nga dhomat e banesës së familjes së Ylber Tolës.
Deri tani familjarët kanë mohuar që vdekja e Rajmonda, Rudina e Fatjon Tolës të ketë ardhur si rezultat i asfiksimit nga gazi i një bombule që është gjetur në salon e banesës. Po ashtu, në dhomë nuk është gjetur mangall, por vetëm soba e gatimit e cila ishte e fikur. Nisur nga këto rrethana, siduket ka çuar grupin hetimor në dyshimin për një vrasje.
E mbijetuara e kësaj tragjedie është vajza tjetër e familjes, Merita e cila ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndonëse ajo është përmendur këtë të dielë, mësohet se grupi hetimor e ka patur të pamundur t’i marrë dëshminë për shkak se ajo ka folur në gjuhën sllave, gjuhë që fëmijët e zonës së Gollobordës e mësojnë para shqipes.
Gjithsesi do të jetë Instituti i Mjekësisë Ligjore ai që do të përcaktojë shkaqet e vërteta të vdekjes së nënë 45 vjeçare Rajmonda Tola dhe fëmijëve të saj 22 vjeçares Rudina e djalit 14 vjeçar Fatjonit.