Prej disa muajsh tashmë po punohet për ndërtimin e segmentit rrugor nga fshati Herebel i Maqellarës deri në hyrje të qytetit të Peshkopisë, me financimin e qeverisë shqiptare nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vlera e këtij investimi është plot 10 milion euro, ku zbatimi i projektit ka nisur që në verën e kaluar.
Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e aksit pothuajse të gjithin në gjurmë të re duke bërë që jo vetëm të shkurtohet distance me qytetin e Peshkopisë, por edhe të shmangë kthesat e shumta që ka aktualisht rruga ekzistuese.
Po ashtu, gjatë ndërtimit të kësaj rruge janë parashikuar të ndërtohen edhe disa ura të cilat shmangin problemet e rrëshqitjes së tokës dhe eleminojnë kthesat e rrezikshme.
Puna në terren po vijon pa ndërprerje, ndërsa të gjithë ata që preken nga kjo vepër publike iu është dhënë mundësia që të kompensohen sipas dispozitave që parashikon ligji për veprat publike.
Ky segment ka qenë i vetmi i parehabilituar i aksit Peshkopi – Tiranë ku tashmë me ndërtimin e rrugës së Arbrit, distanca dhe koha e dibranëve për të shkuar në kryeqytet shkurtohet ndjeshëm.