Harrohet rruga ura e Topojanit - Maqellarë, gropat bëhen problem për drejtuesit e mjeteve
Segmenti rrugor nga Ura e Topojanit deri në Maqellarë është kthyer në shqetësim të madh për të gjithë banorët e fshati Vojnik por edhe fshatrave të tjerë që e përdorin për tu lidhur me Maqellarën.
Ky segment rrugor vijon të jetë ende pjesë e rrugës nacioanle Skuraj – Peshkopi dhe në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Rruga është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes, mirëpo me hapjen e rrugës së Arbrit që kalon nga Gjorica, është lënë thuajse totalisht pasdore. Drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës thonë se prej shumë kohësh nuk mirëmbahet kjo rrugë duke qenë se edhe drejtuesit e institucioneve nuk kalojnë këtej. Ata i bëjnë apel kompanisë mirëmbajtëse të ndërhyjë dhe të përmirësojë gjendjen e rrugës, pasi paguajnë të gjitha taksat ndaj shtetit.
Në të njëjtën gjendje mbetet edhe segmenti tjetër nga Ura e Topojanit deri tek Ura e Çerenecit që është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes.