Hapet qarkullimi në rrugën e Arbrit, problem mbeten rrugët e fshatrave në Xibër

0
10

Mjetet që lëviznin nga Tirana në drejtim të Qarkut Dibër dhe ato nga Qarku Dibër në drejtim të Tiranës janë lejuar të përdorin rrugën e Arbrit, vetëm pasi autoritetet bënë të mundur pastrimin e aksit nga dëbora dhe akulli, kryesisht në bajpasin e Murrizit.

Fillimisht lëvizja e automjeteve në këtë rrugë është bërë nën monitorimin e plotë të policisë rrugore e cila ka patrulluar vazhdimisht në të gjithë aksin e rrugës së Arbrit në Xibër dhe Bastar të Mesëm të Tiranës.

Kalimi i mjeteve në këtë aks rrugor këshillohet të bëhet vetëm nga ato që janë të pajisura me goma dimërore dhe të kenë me vete zinxhirë.

  Prezenca e madhe e akullit kryesisht në rrugën e fshatit Xibër – Hane e Ketë e ka bërë qarkullimin e mjeteve edhe në orët e pasdites pothuajse të pamundur. Ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë natës pritet ta vështirësojnë akoma më shumë situatën e lëvizjes në rrugët e Njësisë Administrative Xibër.