Hapësirat publike në Bulqizë, “pushtohen” nga drutë e zjarrit

Hapësirat publike në Bulqizë, “pushtohen” nga drutë e zjarrit

Qytetarët e Bulqizës po përgatiten për stinën e dimrit e për këtë kanë nisur të sigurojnë drutë e zjarrit. Ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë vit qytetarët kanë nisur të vendosin drutë e zjarrit në hapsirat mes pallateve. E ndërsa nga njëra anë shteti ka nisur një fushatë për lirimin e hapësirave publike, në Bulqizë këto hapsira përdoren nga qytetarët për të vendosur drutë e zjarrit që i përdorin për dimër për ngrohje. Qytetarët e Bulqizës thonë se kjo gjë nuk duhet të ndodhë dhe se bashkia duhet të përcaktojë një vend për mbajtjen e druve të zjarrit. Jonuz Ceku shprehet se ky është një fenomen që ndodh prej shumë vitesh. Sipas tij këto hapësira dikur ishin të mbushura me pemë frutore, ndërsa vitet e fundit ato mbushen me dru zjarri. Ceku i kërkon pushtetit vendorë të ndërhyjë dhe ta zgjidhë njëherë e mirë këtë problem.

I njëjti fenomen ndodh edhe në lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës ku dhjetra e qindra metërkub dru zjarri janë vendosur në hapsira publike, duke u bërë pengesë për qytetarët e sidomos për moshën e tretë që i përdorin për të pushuar.