Ballina Qarku Diber MAT “Guri i shkruar” në rrugën Burrel – Qafshtamë

“Guri i shkruar” në rrugën Burrel – Qafshtamë

0

Nëse keni kaluar ndonjëherë në rrugën Burrel – Qafshtamë është e pamundur të mos keni parë këtë shkrim mbi këtë gurë, ose edhe nëse nuk e keni parë, do ta keni dëgjuar patjetër historinë e tij. Mat Televizion ka bërë një hulumtim për këtë emër, ku pothuajse nga të gjithë njihet si emri i inxhinjerit projektues të kësaj rruge.
Por si fillim le të japim një histori të shkurtër të ndërtimit të kësaj vepre në kohën e mbretërisë shqiptare. Të dhënat historike mbi ndërtimin e rrugëve në Shqipëri tregojnë se kjo rrugë u ndërtua fiks 90 vite më parë.
Më 15 mars 1925 midis qeverisë Shqiptare me në krye A. Zogun dhe asaj italiane me në krye B. Musolinin, nëpërmjet një grupi financiar krijuar posaçërisht për këtë qëllim, u nënshkrua marrëveshja për ti dhënë Shqipërisë një hua. Në bazë të kësaj marrëveshje më 23 prill 1925 u krijua shoqëria SVEA (Societa per la Svilupo Ekonomiko d’Albanie). Shoqëria për zhvillim ekonomik të Shqipërisë. Huaja u emetua për një shumë nominale 70.5 milion franga ari.
Me huanë e SVEA-s është ndërtuar dhe rruga Krujë – Qafë Shtamë – Burrel, traseja e kësaj rruge kalon nëpër vende malore e shkëmbore dhe ishte shumë e vështirë për tu hapur, sidomos porsa kalon qytetin e Krujës. Rruga është 50 km, prej të cilave 5 km i kishte krejt në shkëmb. Ajo kushtoi 500 000 franga Ar, filloi punimet në 1926 dhe mbaroi më 1930. (https://opinion.al/historia-e-rrugeve-automobilistike/)
Në ndërtimin e kësaj rruge punuan jo vetëm punëtor shqiptar, por edhe Italian sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve. E pikërisht këtu nis historia e emrit mbi gurë. Duke marrë të gjitha të dhënat e shkrimit, ne ju drejtuam në muajin Shkurt të këtij viti zyrtarisht për më shumë informacion komunës së Firences në Itali në lidhje me Angelo Goivacchini i cili e kishte gdhendur emrin e tij në gurë vitin 1907 me fjalën Glasse që në italisht do të thotë “brez” siç dhe thuhet në shqip i përkiste brezit të lindur në vitin 1907.
Përgjigjja e autoriteteve italiane të komunës së Firences nuk vonoi shumë, pas kërkimeve të bëra nga ana e tyre. Përgjigja vjen në mënyrë elektronike nga Drejtoresha e Shërbimeve Territoriale, shërbimit Demografik dhe Gjendjes Civile, Angela Lastrucci.
Nga hulumtimet e bëra nga kjo drejtori rezulton se Angelo Giovacchini nuk ka patur profesionin e inxhinjerit, por ka qenë punëtor. Ai ka lindur në Firence me 11 Prill të vitit 1907 si dhe ka vdekur me 23 Prill të vitit 1973. Madje në përgjigje jepen edhe detaje të tjera të kësaj familjeje. Hulumtimet tona për të gjetur një pjestar të familjes së tij, për tu siguruar përfundimisht nëse ka qenë ai që ka gdhendur këtë emër, u ndalën për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, ku italinë e preku në mënyrë të shpejtë dhe me një numër të lartë të të infektuarish. Megjithatë, hulumtimet tona nuk do të ndalen këtu, pasi do të mundohemi të kontaktojmë me personat pasardhës të cilët na janë vënë në dispozicion nga autoritetet lokale të komunës së Firences.

Exit mobile version