Në shumë institucione të vuajtjes së dënimeve penale në vendin tonë, të burgosurit janë futur në grevë urie. Për shkak të masave të marra nga autoritetet përkatëse si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga Cvodi-19, të burgosurit kanë shtruar disa kërkesa si t’ju lejohen takimet me familjarët, të përmirësohen kushtet higjienike, dhe të ndalet sjellja e ashpër sipas tyre, me kërcënime në ambientet e burgjeve.
Por ndonëse në media janë lakuar emrat e disa burgjeve në vendin tonë ku të burgosurit kanë nisur grevën e urisë, në institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel, nuk ka nisur asnjë grevë. Burime zyrtare thanë për Mat Televizion se në këtë institucion nuk ka një problematikë të tillë pasi gjatë gjithë kohës së pandemisë është komunikuar me të burgosurit si dhe ju janë bërë të qarta të gjitha rregullat mbrojtëse anti-covid.
Deri tani janë raportuar greva urie nga persona që vuajnë dënimin në burgun 313 të Tiranës, atë Rrogozhinës, Peqinit, Reçit dhe Shënkollit.
Masat anticovid kanë bërë që të burgosurit të mos kenë takime me familjarët kjo për të mbrojtur edhe institucionin e vuajtjes së dënimit nga prekje masive me Covid-19.