
Megjithëse janë marrë masa drastike dhe bëhen kontrolle të befasishme, në basenet ujore në vendin tonë, përdoren ende metoda të jashtëligjshme për gjuetinë e peshkut.
Liqeni i Ulzës monitorohet nga strukturat vendore e të institucioneve të tjera që prej hapjes së gjuetisë e cila konsiston me përfundimin e periudhës së shtimit natyral të peshkut në këtë basen ujor.
Drejtues të njësisë administrative Ulëz, inspektori vendor i peshkimit, inspektori i inspektoriatit shtetëror të peshkimit, përfaqësues të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulzës dhe inspektori i zonës nga policia e shtetit, kanë kryer vazhdimisht kontrolle në këtë liqen, për të parandaluar gjuetinë e paligjshme.
Por ky grup taskforce kërkon bashkëpunimin e qytetarëve pasi është e pamundur të mbahet nën kontroll të plotë situata, duke qenë se shkelësit e ligjit monitorojnë lëvizjet e grupit dhe shfrytëzojnë kohën kur taskforca largohet.
Ky peshk i llojit krap që dyshohet të ketë ngordhur si pasojë e shpërthimit të ndonjë lënde plasëse është dëshmi e papërgjegjshmërisë njerëzore për të dëmtuar në këtë mënyrë gjallesat në këtë basen ujor.
Po ashtu, autoritetet paralajmërojnë se do të vijojnë kontrollin me grupe të shtuara si nga uji ashtu edhe nga toka dhe se të gjithë ata që ushtrojnë gjueti të paligjshme do të përballen me ligjin.