Gjoricë/ Çudi me rrugën e Arbrit. Segmenti nga Ura e Çerenecit-Maqellarë, as i hapur as i mbyllur

0

Pak javë më parë kompania e cila po ndërton rrugën e Arbrit vendosi që segmentin Ura e Çerenecit – Maqellarë ta mbyllë për kalimin e automjeteve, me argumentin se nuk ishte përfunduar plotësisht dhe se ishte kthyer në burim aksidentesh. Kompania hodhi inerte në të dy hyrjet e kësaj rruge, për të penguar kështu lëvizjen e automjeteve në drejtim të Maqellarës apo Bulqizës. por problemi qëndron se rruga nuk është as e hapur e as e bllokuar. Mjetet kanë gjetur rrugë alternative në hyrjen nga Maqellara, duke u futur në rrugën e Arbrit. Ndërsa pranë Urës së Çerenecit është hequr zhavori sa për të kaluar një makinë. Drejtuesit e mjeteve, pasagjerët dhe banorët e zonës thonë se aksi duhet të ishte me kohë funksional, ashtu siç janë disa segmente të tjera të kësaj rruge. Por edhe nëse kompania ka vendosur për ta mbajtur mbyllur deri në përfundimin e plotë të punimeve, duhet të marrë masa që të mos futet asnjë makinë.
Aksi Ura e Çerenecit – Maqellarë pjesë e rrugës së Arbrit shkurton ndjeshëm distancën mes Bulqizës dhe Maqellarës, pasi automjetet nuk kalojnë më në rrugën ekzistuese të Shupenzës.