Janë 28 ndryshimet në Kodin Rrugor që parashikojnë ashpërsim të masave për drejtuesit e automjeteve i janë dërguar Kuvendit për konsultim. Në këto ndryshime parashikohen gjoba të rënda dhe konfiskim të mjeteve.

Makinat e blinduara që qarkullojnë pa autorizim krahas konfiskimit do të gjobiten nga 100 deri në 200 mijë lekë. Një nga 28 ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor që Ministria e Brendshme ka dërguar për konsultim në Kuvend. E njëjta vlerë gjobe parashikohet edhe për shoferët të cilët zotërojnë mjetin e blinduar me autorizim, por ia japin ta drejtojë një personi të paautorizuar. Kodi i ri Rrugor parashikon ashpërsim të masave për shkeljet që në pjesën më të madhe të rasteve janë shkaktarët e regjistrimit të ngjarjeve të rënda,si përdorimi e celularit në timon, alkooli dhe shpejtësia.

Përdorimi i celularit pritet të ndëshkohet me masë administrative nga 5000 deri në 15000 lekë nga 500 deri 1000 lekë që është aktualisht. Në rast se shkelja përsëritet 3 herë krahas gjobitjes ka pezullim të lejes së drejtimit deri në 3 muaj dhe ulen 10 pikë nga patenta.