Gjendja e rrugës Ura e fshatit – Qaf Buall në gjendje të mjerueshme
Segmenti i rrugës nacionale Qaf Buall – Klos është kthyer në tmerr për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Të gjithë ata që përdorin këtë aks rrugor për të udhëtuar drejt Bulqizës apo Klosit do të përballen me gropa të mëdha dhe deformime të asfaltit në segmentin e fshatit Kloskatund. Kjo situatë është prej vitesh në këtë segment rrugor pasi kompania mirëmbajtëse nuk ka bërë asnjë investim të qëndrueshëm, duke e lënë aksin vetëm me mirëmbajtje rutinë, të pastrimit të ferrave apo kanaleve vaditëse. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kalimi në këtë rrugë është shumë problematik për shkak se nuk po investohet. Gungat e krijuara në të gjithë segmentin e Kloskatundit e bëjnë kalimin e mjeteve të vogëla thuajse të pamundur. Duke qenë se janë taksapagues të rregullt, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që rrugës jo vetëm t’i hiqet bimësia e t’i pastrohen kanalet, por të kthehet në parametrat e duhur për të lëvizur çdo lloj automjeti pasi është pjesë e rrjetit të rrugëve nacionale.
Ky aks rrugor nuk përdoret vetëm nga ata që qarkullojnë në drejtim të Klosit apo Bulqizës, por edhe nga banorët e disa fshatrave të Bashkisë Klos.