Tradita e do që sa herë lind një trashëgimtar froni të urohet për shëndetin e të mirëseardhurit dhe vendit të tij. “Rroftë e mbretëroftë Princesha Geraldina”. Familja Mbretërore shqiptare u bekua me një trashëgimtare e cila mori emrin e Mbretëreshës së shqiptarëve, stërgjyshes së saj, Geraldina.

Familja Mbretërore njoftoi lajmin për lindjen e trashëgimtares në Maternitetin publik që mban emrin e sovranes, në Bulevardin që mban emrin e Mbretit Zog. Princeshë Geraldina është e 4-ta trashëgimtare në dinastinë e nisur nga Ahmet Zogu dhe lindi në atdheun e saj. Në Shqipërinë tonë të vogël ky është një lajm i gëzueshëm.

Lindja në Tiranë e Princeshës Geraldinë është një ngjarje domethënëse për këtë familje të madhe shqiptare. Ajo do të vijojë të mbajë emrin e të vetmes familje që është pjesë e Klubit Blu të kontinentit të vjetër.



Zogollët janë pjesë e oxhakut të familjeve të mëdha shqiptare. Ahmet Zogu arriti të dominojë politikën shqiptare në momentin e saj më të vështirë dhe të imponohet për t’u votuar si Mbret i shqiptarëve dhe të themelonte shtetin modern shqiptar. Trashëgimia e tij mbijeton ende sot teksa ngadalë shoqëria shqiptare po njihet me kontributin e madh të ish-monarkut në kombformimin e shqiptarëve.

Gjyshi i saj, Princi Leka, jetoi vetëm dy ditë në tokën amë. Në 5 prillin e largët 1939, ushtria shtiu 101 topa në nderim të trashëgimtarit të parë të Zogut. Princ Leka i 2-të do të lindte në Afrikën e Jugut dhe për respekt autoritetet vendase shpallën maternitetin ku ai lindi “tokë shqiptare” për pak ditë.


Por xhevahiri i kësaj dinastie të re ishte Mbretëresha Geraldinë, vajza e fisme hungareze e një prej familjeve fisnike të ish-perandorisë më të madhe Europiane. Ardhja në Shqipëri dhe më pas martesa me Mbretin Zog e ktheu Shqipërinë në kryelajm botëror në prillin e largët të vitit 1938.

Mbretëresha Geraldinë ishte ndër ato personalitete të rralla që Shqipërisë i kanë dhënë shumë. Emri i saj ndjell ende sot vetëm respekt dhe mirënjohje. Ajo vendosi të mos ndahet kurrë prej tokës shqiptare dhe vendosi të prehet në tokën e shqiponjave.
Princesha Geraldinë do ketë mundësinë t’i shërbejë misionit të ngritur nga Mbretëresha.

Ajo erdhi në jetë në kohë të vështira për vendin e saj që në shumë pikëpamje ngjasojnë me fillimet e karrierës së Ahmet Zogut. Shqipëria po zbrazet prej të rinjve që nuk shohin më tek Atdheu ëndrrën që sakrifikohet për një jetë më të mirë. Ndaj, siç thonë mbretërorët “Atdheu mbi të gjitha”, është mesazhi më kuptimplotë me ardhjen në jetë të Geraldinës, Princeshës së shqiptarëve.