Gara për gjashtë bashki/ Dibra sot në heshtje zgjedhore

0

Zyrtarisht sot vendi është në heshtje zgjedhore për votimet e pjesshme në gjashtë bashki të vendit, të cilat do të mbahen më 6 mars në Durrës, Shkodër, Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

Zgjedhjet e pjeshme u përcaktuan pas shpalljes së vakancës së postit të qytetarit të parë në këto gjashtë bashki.

Më shumë se sa garë reale për bashkitë, kjo është parë si një garë brenda PD-së, se kush ka më shumë mbështetje mes Sali Berishës dhe kreut aktual të partisë, Lulzim Basha.

Pas dy javësh fushate, nesër radhën e kanë mbi 600 mijë qytetarëve në këto rajone, për të caktuar fituesin e mandatit të pjesshëm një-vjeçar, deri në zgjedhjet e plota vendore të vitit 2023.

Në Shkodër, garues do të jenë socialistja Majlinda Angoni, Bardh Spahia, i cili do të përfaqësojë kampin demokrat të Sali Berishës, nën siglën Shtëpia e Lirisë si edhe Xhemal Bushati, i cili do të përfaqësojë Partinë Demokratike.

Në Durrës, kampin Berisha e përfaqëson Ardian Muka, socialistët Emiriana Sako dhe demokratët, Luan Hoti.

Në Dibër, kampin Berisha e përfaqëson Premtim Kryemadhi, demokratët Luan Haka, socialistët Rahim Spahiu si edhe Dritan Torba, do të garojë nën siglën e partisë Lëvizja e Re.

Lushnja do të shohë nga radhët e socialistëve, Eriselda Sefën, nga demokratët Indrit Sefën dhe nga kampi Berisha, Elton Banon.

Në Rrogozhinë, demokratët i përfaqëson Ferdinand Saraçi, socialistët Edison Memolla dhe kampin Berisha, Hekuran Xhani.

E fundit është Bashkia Vorë, ku Shtëpia e Lirisë do të garojë me Lulzim Vranan, Partia Socialiste me Blerim Sherën dhe Partia Demokratike me Ymer Markun.

Në Vorë do të zhvillohet votimi i plotë elektronik. Ky projekt ishte pilot gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në njësinë bashkiake 10 të Tiranës, ku pati sukses të madh dhe rezultatet u shpallën mëngjesin pas votimeve.

Në Vorë ndërkohë, pritet që rezultati të shpallet menjëherë me mbylljen e votimeve.

Sa i përket qendrave të tjera, rezultati pritet të shpallet brenda 48 orëve nga mbyllja e fletëve të votimit.