Futboll / Pogradeci – Burreli do të luhet të dielën

Futboll / Pogradeci – Burreli do të luhet të dielën

Një ndeshje e vështirë do të jetë ajo e së dielës së 15 Shkurtit për ekipin tonë të futbollit Burreli. Matjanët do të përballen në transfertë me ekipin e liqenorëve të Pogradecit, një skuadër kjo me synime të qarta në këtë sezon, kalimin në ligën më të lartë të futbollit në vendin tonë. Ndeshja pritet të ketë surpriza për shkak se trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj e ka drejtuar më parë për dy sezone ekipin liqenor, dhe kjo pritet të jetë një sfidë jo vetëm e skuadrës që ai drejton aktualisht, por edhe e tija personale. Megjithatë, në kampin matjan optimizmi është në maksimum për të marrë një rezultat pozitiv në këtë sfidë të vështirë. Skuadra ka udhëtuar që ditën e sotme drejt qytetit liqenor për të patur kohën e mjaftueshme për tu qetësuar para përballjes së të dielës në ndeshjen me vendësit që do të luhet në orën 13 e 30 minuta në stadiumin “Gjorgji Kyçuku”. Skuadra e Pogradecit ndodhet aktualisht në vendin e tretë dhe tenton të kalojë ekipin e Laçit që gjendet në vendin e dytë. Tjetër përballje e kategorisë së parë të dielën është edhe ajo mes Ilirisë së Fush Krujës dhe Lushnjës. Ndërkohë, disa nga ndeshjet janë luajtur këtë të shtunë ku përfunduan: Laçi – Besa 2 me 1, Luftëtari – Kastrioti 2 me 1 dhe Kukësi – Korabi 4 me 2.