Futboll / Nesër, sfida e vështirë e Burrelit përballë Laçit

Futboll / Nesër, sfida e vështirë e Burrelit përballë Laçit

Pas një jave shtyrje për shkak të zhvillimit të ndeshjes së ekipit tonë kombëtar kundër Polonisë në kuadër të eleminatorëve të Botërorit 2026, të shtunën e 4 prillit do të rikthehet gara në kampionatin e kategorisë së parë në futboll. Në javën e 29 të këtij sezoni, Burreli do të ketë një sfidë të vështirë ku do të luajë në transfertë ndaj ekipit të Laçit i cili aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme por kërcënohet nga Pogradeci i vendit të tretë i cili ndodhet vetëm 3 pikë larg. Pikërisht kjo diferencë e vogël pikësh do t’i vështirësojë akoma më shumë lojën skuadrës së drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj për shkak se laçjanëve ju duhet patjetër fitorja. Megjithatë, skuadra e Burrelit do të japë maksimumin në fushën e gjelbër pasi edhe ajo vetë rrezikon të dalë nga gjashtë ekipet e para të kësaj kategorie teksa kampionati po i afrohet fundit. Korabi dhe Besa janë shumë pranë Burrelit ku ndahen me 2 dhe 1 pikë, ndaj ekipi matjan duhet të bëjë maksimumin për të mbajtur vendin e 6. Java e ardhshme do të jetë sërisht një sfidë e vështirë për ekipin matjan ku do të presë në “Liri Ballabani” ekipin kryesues të kategorisë së parë, Skënderbeun e Korçës.