Futboll / Nesër luhet java e 9-të, Burreli pret në “Liri Ballabani” ekipin e Lushnjës

Futboll / Nesër luhet java e 9-të, Burreli pret në “Liri Ballabani” ekipin e Lushnjës
Të mërkurën e 29 Tetorit do të luhen pesë nga 6 ndeshjet e javës së 9 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Në këtë javë ekipi ynë i futbollit Burreli do të presë në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Lushnjës. Matjanët vijnë në këtë përballje pas humbjes së thellë që pësuan fundjavën e kaluar në Laç kundër ekipit vendës ku u mundën me rezultatin 4 me 0. Por menjëherë pas kësaj ndeshje skuadra matjane ka rinisur stërvitjen duke mos bërë asnjë ditë pushim. Tekniku Samuel Nikaj ka thirrur në stërvitje gjithë skuadrën që ditën e dielë për tu përgatitur për ndeshjen e nesërme ndaj Lushnjës. Këtë të Martë djemtë kanë marrë udhëzimet e fundit nga stafi teknik, ku ky i fundit ka kërkuar angazhim maksimal dhe marrjen e tri pikëve. Kujtojmë se humbja e të shtunës e ka zbritur Burrelin me dy vende, ndërsa stafi teknik dhe tifozeria kërkojnë rikthimin e tij në vendet e para, ndaj dhe duhet patjetër marrja e tri pikëve. Skuadra e Lushnjës, me të cilën do të përballet nesër Burreli, ndodhet aktualisht në vendin e 9, me 8 pikë, ndërsa skuadra matjane në vendin e 6 me 11 pikë. Ndeshjet e tjera që do të luhen të mërkurën janë: Luftëtari – Laçi, Besa – Kukësi, Kastrioti – Skënderbeu dhe Korabi – Pogradeci.