Ndeshja e javës së 30 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll ka rivënë përballë ekipin e Burrelit dhe atë të Flamurtarit të Vlorës. Përballja mes këtyre dy skuadrave do të jetë jo vetëm për pikët që i duhen secilës, por edhe për faktin se trajneri i ekipit matjan ka qenë më parë pjesë e stafit drejtues të ekipit vlonjat. Ky rivalitet pritet të reflektohet edhe në fushën e gjelbër të stadiumit “Liri Ballabani”, të dielën e 30 Marsit, në orën 14:00.
Ndërkohë, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj ka zhvilluar rregullisht gjatë javës seancat stërvitore të cilat i ka mbyllur me udhëzimet e fundit të marra këtë të shtunë nga stafi teknik.
Kjo do të jetë përballja e tretë mes këtyre dy ekipeve për sezonin 2024 – 2025. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave është luajtur me 25 Gusht të vitit të kaluar në vlorë ku Burreli fitoi me rezultatin 2 me 1 ndaj Flamurtarit. Ndërkohë, përballja tjetër është zhvilluar me 10 Nëntor po të vitit të kaluar në fushën matjane ku të dyja skuadrat morën nga një pikë pasi ndeshja përfundoi barazim 1 me 1.
Këto do të jenë arsyet për një rivalitet të fortë në ndeshjen e nesërme edhe për faktin se vlonjatët kërkojnë kreun e kategorisë së parë që mbahet nga Vora, ndërsa Burreli kërkon vendin e tretë.