Janë mbyllur 33 javët e kampionatit të kategorisë së parë në futboll të dielën e 20 Prillit. Në javën e fundit Burreli luajti në transfertë ndaj Kukësit, ndeshje të cilën e fitoi me rezultatin 2 me 1. Ka qenë Farruku ai i cili me dopietën e tij i ka dhënë tri pikët maksimale skuadrës matjane, duke vulosur edhe fitoren e 16 në këtë kampionat. Me tri pikët e marra në ndeshjen e fundit, Burreli e mbyll garën me 58 pikë në total dhe i pozicionuar në vendin e 4. Ndërkohë, të dielën janë zhvilluar të gjitha takimet ku u mbyllën me këto rezultate: Apolonia – Lushnja 0 me 0, Erzeni – Kastrioti 2 me 3, Vora – Flamurtari 0 me 1, Valbona – Besa 1 me 3 dhe Korabi – Pogradeci 3 me 0.
Vora dhe Flamurtari kanë kaluar automatikisht në kategorinë superiore pasi e mbyllën kampionatin në vendin e parë dhe të dytë me 76 e 75 pikë. Në kategorinë e dytë kanë zbritur Valbona dhe Erzeni i Shijakut. Ndërkohë, këtë javë nisin ndeshjet edhe për fazën play off dhe atë play out.
Në këtë fazë të kampionatit, Besa, Burreli, Pogradeci dhe Apolonia do të luajnë ndërmjet tyre për të nxjerrë skuadrën e cila do të luaj play off me ekipin e vendit të 8 të superligës. Ndërkohë, Lushnja, Korabi, Kastrioti dhe Kukësi do të luajnë ndërmjet tyre për të nxjerr ekipin që do të luaj në play out me ekipin e tretë që del nga dy grupet e kategorisë së dytë.