FUTBOLL / BURRELI vs SOPOTI, 1 – 3

FUTBOLL / BURRELI vs SOPOTI, 1 – 3

Janë zhvilluar në mesjavë ndeshjet e javës së tretë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi ynë i Burrelit priti në stadiumin “Liri Ballabani” skuadrën e Sopotit të Librazhdit në një ndeshje që dha emocion, pasi të dyja skuadrat ishin në kërkim të fitores.

Kanë qenë djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj ata të cilët kaluan të parët në avantazh me një gol të shënuar nga Xhabrahimi në minutën e 11, i cili doli i vetëm përballë portierit mik dhe dërgoi topin në rrjetë.

Por avantazhi i matjanëve nuk do të zgjaste shumë pasi vetëm 17 minuta më vonë, pikërisht në minutën e 28 është Aminu i cili shfrytëzon bukur një rrëmujë në zonën e portës matjane dhe shënon golin e barazimit.

Pjesa e parë u mbyll me këto dy episode, ndërsa në pjesën e dytë lufta për të shënuar golin e fitores u rrit akoma më shumë. Në minutën e 73 miqtë do të kalonin në avantazh me Nazan.

Por ky i fundit nuk mjaftohet me kaq pasi në minutën e 82 do të shënonte golin e dytë të tijin personal dhe të tretin për skuadrën e Sopotit.

Kjo humbje për Burrelin vjen pas dy barazimeve të mbajtura në dy ndeshjet e para në “shtëpi” ndaj Kastriotit të Krujës dhe në transfertë ndaj Flamurtarit të Vlorës.