Futboll / Burreli turpërohet në “Liri Ballabani”, mundet 3 me 0 nga Pogradeci

Futboll / Burreli turpërohet në “Liri Ballabani”, mundet 3 me 0 nga Pogradeci

Nuk ka shkuar siç duhet as ndeshja e javës së 28 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll për ekipin e Burrelit. Matjanët u përballën të dielën në stadiumin “Liri Ballabani” ndaj ekipit të Pogradecit, i cili mban aktualisht vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të 12 skuadrave të kategorisë së parë. Edhe pse matjanët vinin në këtë përballje pas një serie rezultatesh jo të mira me barazime e humbje, nuk arritën ta thyejnë tersin e javëve të fundit pasi u mundën nga liqenorët me rezultatin e pastër 3 me 0. Që në mniutën e 13 miqtë shënojnë në portën e Danit me anë të Zguros. Ndërkohë në minutën e 35 pogradecarët do të dyfishonin rezultatin me Lesai. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 2 me 0 për Pogradecin dhe disa raste sporadike të matjanëve që nuk u arrit të finalizoheshin me gol. Pjesa e dytë pati një tjetër tablo ku djemtë e “Burrelit” të drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj tentuan t’i afrohen portës së Pogradecit. Tentativat e Patushit, Ajazit, etj., rezultuan pa sukses pasi nuk arritën të prekiin rrjetën e portës mike. Teksa mendohej se gjithçka do të mbyllej 2 me 0 për Pogradecin, miqtë do të shënonin edhe një herë me nigerianin Kazem teksa ndodhet brenda zonës së portës së Danit dhe me kokë trefishon rezultatin për të tijët. Tri pikët e marra në Burrel e afrojnë Pogradecin vetëm 3 pikë larg Laçit të vendit të dytë duke i rritur shanset për ngjitje direkte në superligë, ndërsa Burreli mbetet në vendin e 6 me 33 pikë. Ndeshjet e tjera të luajtura në javën e 28 përfunduan: Kastrioti Kukësi 0 me 2, Iliria – Laçi 1 me 1, Besa – Skënderbeu 0 me 1, Korabi – Luftëtari 1 me 0 dhe Apolonia – Lushnja 0 me 0.