Futboll / Burreli nuk shkon më shumë se barazim në “Liri Ballabani” ndaj Lushnjës

Futboll / Burreli nuk shkon më shumë se barazim në “Liri Ballabani” ndaj Lushnjës
Skuadra e futbollit “Burreli” nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola këtë të mërkurë në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Liri Ballabani” kundër ekipit të “Lushnjës”. Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj nuk arritën për asnjë moment të gjejnë rrjetën e portës lushnjare, ku përballë patën një skuadër agresive në kërkim të shënimit të golit. Kjo përballje nuk ishte vetëm mes dy ekipeve Burreli e Lushnja por edhe mes dy teknikëve shkodranë; trajnerit Samuel Nikaj e ish trajnerit tjetër të Burrelit, Ditmar Bicaj. Me gjithë nervin luftarak të të dyja skuadrave 90-të minutat e lojës u mbyllën me porta të paprekura dhe ekipet ndanë nga një pikë secili. Të dyja ekipet ruajnë të njëjtën renditje ku Burreli mbetet në vendin e 6 me 12 pikë ndërsa Lushnja në vendin e 9 me 9 pikë. Ndeshjet e tjera të kësaj jave patën surpriza ku Kastrioti fitoi përballë Skënderbeut me rezultatin 3 me 2, Besa fitoi ndaj Kukësit me rezultatin 3 me 1, Korabi humbi në shtëpi ndaj Pogradecit me rezultatin 1 me 2 dhe Luftërari – Laçi u ndanë 0 me 0.