Futboll / Burreli mundet thellë nga Laçi, 4 me 0

Futboll / Burreli mundet thellë nga Laçi, 4 me 0
Skuadra jonë e futbollit “Burreli” ka pësuar një humbje të thellë këtë të shtunë në ndeshjen e luajtur në transfertë kundër ekipit të “Laçit”. Ky i fundit arriti të shënojë katër herë në portën matjane dhe nuk lejoi që për asnjë moment të prekej rrjeta e portës së tij. Traore ka shënuar golin e parë në minutën e 36, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1 me 0 për Laçin. Ndërkohë në pjesën e dytë është Xhakpona që dyfishon rezultatin në minutën e 61 e më pas Traore trefishon rezultatin në 3 me 0 për laçjanët. Golin e katërt do ta shënonte Kalaj për të mbyllur gjithçka Laçi 4 e Burreli 0. Me tri pikët e marra ndaj Burrelit skuadra Laçjane vijon të mbetet në vendin e dytë me 16 pikë, ndërsa Burreli zbret nga vendi i katërt në vendin e 6 me 11 pikë të grumbulluara në 8 ndeshje. Takimet e tjera përfunduan: Pogradeci – Kastrioti 4 me 0, Kukësi – Luftëtari 2 me 2, ndërsa të premten Iliria – Korabi 2 me 1, Lushnja – Apolonia 0 me 1 dhe Skënderbeu – Besa 1 me 0. Skënderbeu i Korçës vijon të mbajë të blinduar vendin e parë me 22 pikë në 8 javë ndërsa në fund të klasifikimit mbeten Besa dhe Kastrioti me nga 4 pikë.