Futboll / Burreli merr tri pikë mes shumë kartonëve të verdhë dhe dy të kuq në Peshkopi

Futboll / Burreli merr tri pikë mes shumë kartonëve të verdhë dhe dy të kuq në Peshkopi
Është zhvilluar këtë të martë derbi i qarkut Dibër në futboll, në kuadër të javës së 17 të kampionatit të kategorisë së parë, mes ekipit të Korabit dhe atij të Burrelit, në qytetin e Peshkopisë. Ndeshja ishte shtyrë dy herë për shkak të mjegullës që kishte përfshirë qytetin verilindor e cila kufizonte ndjeshëm fushëpamjen në stadium dhe nuk lejonte zhvillimin normal të takimit. Megjithatë, derbi i së martës qe mjaft i tensionuar pasi ndaj matjanëve pati një lum kartonësh, mes tyre edhe dy të kuq. Plot 8 kartona të verdhë u akorduan për lojtarët dhe stafin teknik të Burrelit, ndërsa 3 kartona të verdhë për vendësit. Sikur të mos mjaftonin këto, ndaj Administratorit të Klubit të Futbollit Burreli Marjan Leshaj dhe futbollistit Gjikolaj u dhanë kartonë të kuq. Me të kuq u ndëshkua edhe Marku në radhët e futbollistëve të Korabit. Gjithsesi, matjanët arritën të merrnin tri pikë të rëndësishme në këtë përballje plot polemika, e konsideruar gjithmonë si derbi i qarkut Dibër. Falë golit të vetëm të shënuar në minutën ë 84 nga Koka, ekipi ynë i futbollit Burreli u kthye në shtëpi me tri pikë, që e ngjisin automatikisht nga vendi i 9 që ishte në vendin e 6, në kuotën e 23 pikëve. Me humbjen e sotme, Korabi zbret në vendin e 9 me 20 pikë në total në 17 ndeshje të luajtura deri tani.