Futboll / Burreli – Laçi: 1 me 2

Futboll / Burreli – Laçi: 1 me 2
Në kuadër të javës së 19 e kategorisë së parë në futboll, takimi Burreli-Laçi ka përfunduar me humbjen e skuadrës së Burrelit në përmballjen e sotme në stadiumin “Liri Ballabani”. Laçjanët shënuan dy herë në portën matjane, ndërsa këta të fundit shënuan vetëm golin e nderit. Ndeshja, e cila ishte konsideruar e vështrirë për kampin matjan, solli emocione dhe polemika në një situatë të tensionuar. Kanë qenë miqtë ata të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 11 të pjesës së parë me Muhamad. Ky ishte aksioni i vetëm që u finalizua nga miqtë, ndërsa djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj nuk arritën të finalizojnë asnjë aksion në këtë pjesë për të shënuar golin e barazimit. Pjesa e dytë nisi me euforizëm nga matjanët të cilët kërkuan gjatë gjithë kohës barazimin e rezultatit, por pa arritur të gjejnë rrjetën e portës laçjane. Por janë sërish këta të fundit të cilët dyfishojnë shifrat në minutën e 63 me Nergutin. Për Burrelin goli i vetëm i kësaj ndeshje erdhi vetëm në minutën e 90-të me protagonist Hotin. Minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari i katërt nuk mjaftuan për të ndryshuar rezultat teksa gjithçka u mbyll Burreli 1 e Laçi 2. Me këtë rezultat, Burreli vijon të qëndrojë në vendin e 5 me 26 pikë, ndërsa Laçi në vendin e dytë me 39 pikë. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Korabi – Iliria 2 me 1, Kastrioti – Pogradeci 2 me 4 dhe Besa – Skënderbeu 2 me 3.