Futboll / Burreli humb në transfertë ndaj Besës së Kavajës

Futboll / Burreli humb në transfertë ndaj Besës së Kavajës
Ka rezultuar me humbje java e 15 e kamp-ionatit të kategorisë së parë në futboll për ekipin tonë të Burrelit. Matjanët u mundën këtë të hënë me rezultatin dy me zero nga kavajasit në ndeshjen e luajtur këtë të hënë në fushën e stadiumi “Luz i Vogël”. Nga një gol për secilën pjesë i ka mjaftuar Besës të marrë tri pikë në këtë përballje dhe të fitojë ngjitje me dy vende në tabelën klasifikuese. Me golat e Spahiut dhe Kapos u mbyll takimi Besa 2 e Burreli 0. Me këtë humbje, skuadra matjane, e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj, ka humbur edhe dy vende në renditje. Aktualisht matjanët pozicionohen në vendin e 7 në kuotën e 19 pikëve. Ky pozicionim vjen edhe pas takimeve të zhvilluara të dielën mes ekipeve rivale të Burrelit. Kështu, Iliria mundi me rezultatin 1 me 0 Kukësin, Kastrioti fitoi minimalisht 1 me 0 ndaj Apolonisë, Luftëtari humbi në Gjirokastër 1 me 2 ndaj Lushnjës, Korabi u mund nga Laçi në Peshkopi me rezultatin 2 me 0 dhe Skënderbeu humbi në fushën e tij ndaj Pogradecit me rezultatin 1 me 2. Në mbyllje të javës së 15 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, Skënderbeu kryeson me 34 pikë, ndjekur nga Laçi me 27 pikë dhe Pogradeci me 26 pikë. Tabela mbyllet me Luftëtarin me 10 pikë dhe Kukësin me 9 pikë.