Futboll / Bicaj drejt largimit nga drejtimi i ekipit të Burrelit?

Futboll / Bicaj drejt largimit nga drejtimi i ekipit të Burrelit?

Pas largimit pak ditë më parë të sulmuesit Florenc Farruku, të ekipit matjan të futbollit, tek ekipi i Dinamos, duket se një tjetër largim është në proces. Tashmë nuk bëhet fjalë nga ana e futbollistëve, por nga stafi teknik.

“Burreli”, nën drejtimin e trajnerit Ditmar Bicaj, rezultoi një nga surprizat më të bukura të sezonit të fundit në Kategorinë e Parë. Padyshim meritë në këtë sukses të matjanëve ka edhe trajneri, Ditmar Bicaj, i cili arriti të krijojë një ansambël për t’u pasur zili dhe në fund arritën që të befasojnë duke “flirtuar” me ngjitjen në Superiore. Ky progres i trajnerit 36-vjeçar ka ngjallur interes nga klube të ndryshme, si brenda dhe jashtë vendit. Me gjasa, Burreli duhet të gjejë trajner të ri për sezonin futbollistik 2025-2026.

Ende nuk ka asgjë zyrtare por Bicaj mësohet se ka kërkesë edhe nga ekipi kombëtar i Ruandës për të qenë pjesë e stafit tenik. Nëse realizohet ky kalim për trajnerin Bicaj, padyshim do të ishte një nga ato aventurat e rralla, pasi më parë nuk kemi dëgjuar të ketë pasur teknikë shqiptarë që kanë drejtuar në kontinentin afrikan.

Ndërkohë, në lojë është edhe ekipi i Tiranës, i cili mund t’i ofrojë Bicajt pozicionin e trajnerit të parë. Megjithatë, nga ana e teknikut Ditmar Bicaj nuk ka asnjë reagim në lidhje me këto dy lajme që qarkullojnë në ambjentet sportive të vendit tonë.