Fushë-Bulqiza pa ujë të pijshëm, banorët: po helmohemi nga uji i puseve

Fushë-Bulqiza pa ujë të pijshëm, banorët: po helmohemi nga uji i puseve

Fshati Fushë-Bulqizë vuan mungesën e ujit të pijshëm. Në këtë fshat mungon një rrjet i mirëfilltë për të furnizuar banorët me ujë që buron nga malet dhe të jetë i sigurtë për konsum. Bajram Budini thotë se prej 35 vitesh po mashtrohen nga politikanët e të gjitha kaheve për ndërtimin e një ujësjellësi, por fakti është se ende nuk është ndërtuar. Budini shton se një pjesë e madhe e fshatit konsumojnë ujë pusi i cili rezulton i papijshëm e një pjesë tjetër shkojnë në burime natyrale që janë larg banesave.

Sami Gjimi thotë se jo vetëm për ujin e pijshëm janë mashtruar por edhe për investimet e tjera. Sipas tij, në fushata elektorale të gjithë premtojnë investime por sa vijnë në pushtet, askush nuk kujtohet më për ta.

Për vizitorët e rastit është kontrast që fshati Fushë-Bulqizë është i rrethuar nga malet me plot burime ujore e banorët të vuajnë për ujë të pijshëm.