Fusha e Radikës “mbytet” nga inertet

Fusha e Radikës “mbytet” nga inertet

Bashkia e Bulqizës vijon të përballet me ndotje të madhe mjedisore thuajse në të gjithë territorin e saj. Duke qenë se i mungon përcaktimi i një pike të dedikuar për hedhjen e mbeturinave inerte, këto të fundit po shkarkohen në të gjithë territorin e Bashkisë Bulqizë. Pranisë së mbetjeve inerte nuk i ka shpëtuar as vendi i njohur si “Fusha e Radikës” në Gjoricë, ku qëndron memoriali për kryengritjen më të madhe ndaj ushtrisë osmane dhe i kuvendit të “Nëntë malet e Dibrës” kundër Hajredin Pashës. Siç duket nga pamjet, inertet, që kanë dalë nga ndërtime apo rikonstruksione në zonë, janë hedhur kudo, duke krijuar jo vetëm ndotje, por edhe një pamje të shëmtuar. Prej vitesh Bashkia e Bulqizës po përballet me këtë fenomen ku thuajse në të gjithë territorin ka prani të inerteve të tilla. Ende nuk është miratuar në Këshillin Bashkiak një pikë e dedikuar për hedhjen e këtyre inerteve, ashtu siç ndodh në shumë bashki të tjera të vendit tonë. Sakaq, zona më e ndotur mbetet ajo në afërsi të qytetit të Bulqizës, ku dhe prodhohen më shumë inerte nga rikonstruksionet e objekteve private a publike.