FUSHA E GJORICËS MBULUAR ME MBETJE DHE INERTE

FUSHA E GJORICËS MBULUAR ME MBETJE DHE INERTE

Fusha e Gjoricës, në Njësinë Administrative Gjoricë të bashkisë Bulqizë, është e mbushur me mbetje dhe inerte. Kjo fushë, me një të kaluar historike, gjë që e dëshmon edhe ky lapidar në përkujtim të kuvendit për rezistencën antiturke të shekullit 18-të, sot të lë një shije krejt tjetër, atë të braktisjes institucionale.

Banorët e Gjoricës janë treguar të pakujdesshëm ndaj këtij vendi me një të kaluar historike, pasi kanë depozituar qindra metër kub mbeturina dhe inerte. Kësaj ndotjeje nuk i kanë shpëtuar as varrezat e fshatit Gjoricë. Fadil Kaja, banor i fshatit Gjoricë, e konsideron turp për mosveprimin e instancave përkatëse ndaj kësaj masakre mjedisore.

Fusha e Gjoricës, dikur fusha e kuvendit të 9 maleve të Dibrës që zbrapsi Hajredin Pashën me 12 taborë, sot mund të konsiderohet fusha e mbetjeve.

Banorët kërkojnë nga instancat përgjegjëse që të merren masa sa më parë largimi i mbetjeve dhe inerteve nga Fusha e Gjoricës, për t’i kthyer asaj dinjitetin e dikurshëm.