Fundjava pushim, në mesjavë luhet për kampionat

Fundjava pushim, në mesjavë luhet për kampionat
Kjo fundjavë do të jetë pushim për ekipet e kampionatit të kategorisë së parë në futboll për shkak të ndeshjes së fundit kualifikuese që do të luajë ekipi ynë kombëtar të dielën në Tiranë ndaj Anglisë. Megjithatë, skuadrat e kampionatit të futbollit shqiptar kanë vijuar rregullisht stërvitjen. Ekipi i futbollit “Burreli” ka zhvilluar pandërprerje seancat stërvitore për të mbajtur gjendjen në formë për ndeshjet e javës së ardhshme. Të Mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e fazës së dytë eleminatore të Kupës së Shqipërisë. Në këtë fazë Burreli do të presë në shtëpi ekipin e Kastriotit të Krujës. Sakaq, mbrojtësi i skuadrës matjane Endri Kastrati është optimist për ta kaluar edhe këtë fazë. Megjithatë, vëmendje maksimale sipas Kastratit kanë ndeshjet e kampionatit ku ekipi matjan do të presë po javën e ardhshme kryesuesen e kategorisë së parë, Skënderbeun. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë janë me eleminim direkt ku ekipi që do të kalojë në fazën tjetër përcaktohet nga e vetmja ndeshje që luhet mes tyre, në rastin konkret mes Burrelit dhe Kastriotit, ndaj le të shpresojmë në një fitore të mundshme.