Fundjava e kombëtares, shtyhen takimet e kategorisë së parë

Fundjava e kombëtares, shtyhen takimet e kategorisë së parë

E gjithë vëmendja e kësaj fundjave është përqendruar në ndeshjen më të rëndësishme kualifikuese të ekipit tonë kombëtar të futbollit. Takimi i së shtunës në Serbi i përfaqësues tonë ka bërë që të gjitha aktivitetet sportive në vend të shtyhen. Kështu ndeshjet e javës së 7 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll do të luhen të dielën e ardhshme me 19 tetor. Burreli do të luajë në transfertë ndaj Apolonisë së Fierit në javën e 7.

Por ndeshje do të ketë edhe në mesjavë. Sipas kalendarit të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit të mërkurën e ardhshme do të nisin edhe eleminatoret për Kupën e Shqipërisë.

Shorti ka caktuar që në turin e parë eleminator Burreli të luajë në “Liri Ballabani” ndaj ekipit Shiroka njohur ndryshe si ekipi Albanët.

Megjithatë, vëmendja e skuadrës matjane pritet të jetë e përqendruar në ndeshjet e kampionatit, kjo edhe pas humbjes së thellë që pësoi javën e kaluar në Burrel ku i mund 3 me 0 nga skuadra e Korabit të Dibrës.

Humbja në fundjavën e kaluar i ka kushtuar Burrelit dy vende në renditjen e përgjithshme ku tashmë pozicionohet në vendin e 7.