Nga Mentor Kikia
Në shtëpinë e demokratëve tani nuk ka qetësi. Ka nga ata që mendojnë se i zoti i shtëpisë duhet të dorëzojë drejtimin, ndërsa të tjerë mendojnë se ai që fitoi zgjedhjet ia punoi me marifete, ndaj nuk ka pse të ikë.
Ndërsa jashtë derës, fituesi, Edi Rama, po i fton demokratët, që pavarësisht sherreve të brendshme, të bashkëpunojnë. Rama nuk sqaron saktësisht se për çfarë dhe si mund të bashkëpunojnë, por ai tha “Për gjithëçka. Pa ka kufi. 360 gradë”.
Në fakt si mund të bashkëpunojnë PS dhe PD?
Në një qeveri të përbashkët? Jo, padyshim që jo, ky do të ishte fundi i demokracinë, edhe kështu copë-copë siç e kemi.
Duke u bërë më të përgjegjshëm, për të mos u zënë çdo të enjte si njerëz rruge, me të shara e fyerje(për interest e tyre, jo tonat)? Kjo do të ishte shumë e mirë. Por nuk e di nëse kjo mund të bëhej me një marrëveshje.
Duke rënë dakord të mbështesin dhe punojnë sëbashku për çështje madhore për vendin dhe popullin?
Po, padyshim që po. Kjo është ajo që mundet, ajo që duhet dhe ajo që nuk i bën dëm politikisht asnjërës palë.
PS dhe PD mund dhe duhet të bashkëpunojnë psh, për të plotësuar me nxitim kushtet që ende mbajnë peng hapjen e negociatave. Një bashkëpunim i tillë do të ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë dhe nuk do ta çonte PD-në “në prehrin e Ramës”, sikundër mund ta akuzonin fanatikët.