Rekamë


Prej disa ditësh është ndërprerë puna në tunelin 1 të rrugës së Arbrit në fshatin Bastar të Tiranës. Shkak për këtë mësohet se është bërë shembja e vazhdueshme në hyrje të tij.
Mat Televizion ka siguruar foto të hyrjes së tunelit në fshatin Bastar. Siç duket nga pamjet, tuneli për kalimin e mjeteve dhe ai i emergjencës janë bllokuar me rrjetë.
Banorët e zonës thonë se shembja ka nisur që në metrat e para të hapjes së tunelit për qarkullim. Ndërsa tuneli i emergjencës nuk është dëmtuar aspak.
Sa i përket tunelit kryesor, banorët shprehen se ka shembje të mëdha deri në 100 metër gjatësi. Masivi i dheut shemb armaturën e tunelit, duke mos ju lënë mundësinë të avancojnë më tej.
Po ashtu mësohet se shembje ka patur edhe dyshemeja në hyrje të tunelit. Për shkak të paqëndrueshmërisë, firma ka zhvendosur të gjitha mjetet duke i kaluar në anën tjetër të tunelit, në fshatin Murrize të NjA Xibër në Bashkinë Klos.