
Flutura aziatike që dëmton bimën e bushit fillimisht u shfaq në luginën e Shkopetit, duke shkretëtuar gjelbërimin e përhershëm të kësaj bimësie. Por këtë vit ajo u arratis nga Shkopetit drejt lartësive më të mëdha duke gjetur habitat në Martanesh.
Pamjet tona filmike dëshmojnë një panoramë të zymtë të dëmtimit të këtij ekosistemi, më keq se kur përshkohet nga flakët e zjarrit.
Shpati i malit në Martanesh duket e thatë, jo për faktin se jemi në stinën e dimrit ku bien gjethet e pemëve, por për shkak se këtë vit shkurrja e Bushit edhe në këtë zonë malore është sulmuar nga flutura kineze. Bushi ishte bima që i jepte një bukuri natyrore malit përgjatë gjithë stinëve të vitit, ndaj dhe pamja tani është vërtetë shqetësuese. Dëmi që ka shkaktuar sipas specialistëve është shumë i madh.
Megjithëse prej më shumë se dy vitesh ka nisur studimi nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për mënyrën e luftimit të fluturës aziatike, deri më tani nuk ka një rezultat, ndërsa insekti pritet të dëmtojë akoma edhe më shumë masivet me shkurren e bushit në të gjithë vendin duke prekur dhe lartësitë më të mëdha.