Në protestën e dytë para Kryeministrisë, në mesin e qytetarëve dhe shoqërisë civile është edhe aktori i humorit, Florjan Binaj. Këtë herë thirrja e tij ka shkuar për kolegët e tij. Ai thotë se artistët dhe ndjekësit e tij duhet që të protestojnë në lidhje me rritjen e çmimeve. Po ashtu Binaj u shpreh se e vetmja gjë që ne kemi si Europa janë çmimet e larta. “U bëj thirrje të gjithë artistëve, ndjekësve të mi, të vijnë të protestojnë se nuk u bien ndjekësat në Instagram. Duam të jemi si Evropa, po vetëm çmimet e karburantit kemi si Evropa”, tha ai.
Rudina Magjistari: Si është planifikuar, ka një axhendë të ditës së sotme, çfarë do të ndodhë gjatë protestës? Do të flisni, është dikush që do të flasë, secili qytetar që merr pjesë aty është i lirë të marrë mikrofonin?
Florian Binaj: Po, po është i lirë kushdo të marrë mikrofonin të flasë kështu që kjo protestë nuk ka një kokë, është një megafon që mezi e gjetëm në momentet e fundit, ishim pa megafon deri para 10 minutash. Fatmirësisht, njëri nga protestuesit solli një megafon që të flasin dhe kushdo që do të thotë mendimin e tij, mund të vijë e të flasë.
Rudina Magjistari: A pranoni që t’iu bashkohen politikanë në këtë protestë?
Florian Binaj: Jo, jo, jo, absolutisht jo. Nëse jemi sot për të protestuar këtu jemi për shkak se…
Rudina Magjistari: A ka tentuar ndonjë politikan t’iu bashkohet?
Florian Binaj: Javës që shkoi na thanë që kishte tentuar njëri, ishte përpjekur, por ne jemi këtu për shkak se të gjithë politikanët në këto 30 vite, ata që janë sot në pozitë e ata që janë në opozitë, e kanë çuar në këtë vend. Vetëm ata nuk kanë vend këtu, në daç të vijnë si civilë, në daç të vijnë si qytetarë, në daç të vijnë si politikanë, nuk kanë vend se asnjë nga këta nuk ka kërkuar falje, nuk është penduar për paaftësitë e tij që e kanë çuar vendin në këtë pikë.
Rudina Magjistari: Çfarë prisni ju nga kjo protestë, Florian? Unë të përgëzoj për iniciativën, padiskutim, një protestë qytetare.
Florian Binaj: Unë pres që të na bashkohen shumë artistë, kolegët artistë sepse artin e kanë shtrydhur dhe e kanë lënë pa bukë, e kanë lënë të varfërohet në atë pikë saqë po i shërben më shumë politikës sesa vetë qytetarëve. Arti duhet t’iu shërbejë qytetarëve.
Rudina Magjistari: Çfarë prisni, kërkesat tuaja janë të drejtpërdrejta, të stopohet rritja e çmimeve të ushqimeve, të mallrave të konsumit?
Florian Binaj: Të ulet çmimi i energjisë elektrike, të ulet çmimi i naftës, të ulen shumë çmime të shportës sepse politikat për t’i bërë këto janë, mjafton vetëm vullneti dhe nuk janë bërë deri më sot pikërisht sepse askush nuk është çuar t’i bëjë. Në qoftë se ne nuk çohemi edhe për ata që kanë nevojë, atëherë nuk jemi më qytetarë të një vendi, jemi qytetarë të vetes sonë.