FESTIVALI KOMBËTAR I SHKENCËS/ GJIMNAZET “P. BUDI” DHE “28 NËNTORI” DO PËRFAQËSOJNË MATIN NË DRAP DURRËS
Data 17 mars 2026 mbylli siparin e fazës së parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës në rang ZVA-je, e konceptuar kjo si një garë përmes projekteve shkencore mes gjimnazeve. Drejtori i Zyrës Arsimore Mat, Lefter Salaj, falenderoi nxënësit e projekteve dhe mësuesit koordinatorë për përfaqësimin në këtë Festival dhe u uroj atyre suksese edhe në faza të tjera pasardhëse. Juria e Festivalit Kombëtar të Shkencës përbëhej nga përfaqësuesja e ASCAP, Elfrida Begaj, përfaqësuesja e DRAP Durrës, Metushe Hoxha dhe përfaqësuesi i ZVA Mat, Fatmir Neli. Nën vëzhgimin e kësaj Jurie, ekipet e nxënësve të Arsimit të Mesëm të Lartë të 6 shkollave përfaqësuese në Mat: “Pjetër Budi”, “28 Nëntori”, “Abdyrrahman Përmeti”, “Ahmet Xhetani”, “Gjergj Kastrioti” dhe “26 Korriku”, të udhëhequr nga mësuesit e tyre koordinatorë, prezantuan një e nga një projektet që i përkisnin fushave të ndryshme shkencore. Ra në sy risia dhe inovacioni që ata kishin sjellë përmes produkteve të tyre, zbatueshmëria e gjerë në praktikë, hipotezat që gjenin zgjidhje përmes eksperimenteve dhe prototipeve, prezantimi shkencor dhe argumentimi, puna në ekip dhe përdorimi kreativ i teknologjisë, i faqeve ueb apo sensorëve robotikë dhe intelegjencës artificiale. Në përfundim të Festivalit Kombëtar të Shkencës për shkolla të mesme, Juria shpalli projektet fituese. Në vendin e parë u rendit gjimnazi “Pjetër Budi”, Burrel, me mësuese koordinatore Leonora Sina dhe vetëm me pak pikë diferencë në vendin e dytë u rendit gjimnazi “28 Nëntori”, Burrel, me mësues koordinatorë: Blerina Likmeta dhe Sonila Gjinaj, duke e bërë kështu Matin të përfaqësohet me dy projekte në fazën e dytë, që do të zhvillohet më 31 mars në Durrës, mes gjithë shkollave të tjera përfaqësuese në nivel DRAP-i.