Familja Doka e rrezikuar nga aksidentet, kryefamiljari bën apel për ndihmë

0
1142

  Një tjetër familje së cilës ndërtimi i rrugës që lidh Matin me rrugën e Arbrit në fshatin Fshat të Bashkisë Klosit i ka krijuar rrezik është edhe ajo e Klodjan Dokës. Ky i fundit banon në afërsi të rreth-rrotullimit të fshatit Fshat. Klodiani shprehet se familja e tij është e rrezikuar në çdo moment për shkak se automjetet që vijnë nga rruga e Arbrit rrëshqasin e përplasen me barrierat metalike që janë mbi shtëpinë e tij. Barrierat nuk mbajnë asgjë, thotë ai, duke bërë që mjetet të përfundojnë në oborrin e banesës.

Një aksident i tillë ndodhi edhe pasditen e së dielës, ku një automjet tip benz, që po lëvizte në drejtim të Klosit, doli nga rruga dhe u përplas me barrierën. Klodiani thotë se problemin e shtëpisë së tij j aka bërë të ditur që në fillim firmës ndërtuese të rrugës së Arbrit “Gjoka Konstruksion”. Ai thotë se i ka kërkuar t’i ndërtohet një mur, në mënyrë që të mos i rrezikohet jeta e fëmijëve. Por jo vetëm kaq, Klodian Doka shprehet gjithashtu se minimumi i kërkesës së tij ka qenë që firma t’i sjellë gurët dhe murin ta ndërtojë vetë, por as kjo kërkesë nuk i është plotësuar.

Kryefamiljari i dëmtuar Klodian Doka u bën apel institucioneve shtetërore përgjegjëse ta zgjidhin këtë problem, pasi, thotë ai, po i rrezikohet jeta e familjes çdo ditë nga aksidentet e automjeteve.