Rekamë

Forcat e Armatosura kanë hapur kuotat për aplikimet e reja për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e tyre. Këtë vit, janë rreth 444 kuota për ushtarë apo detarë në të gjitha rajonet e vendit.

Qendra e Personel Rekrutimit pranë Komandës së Forcës Tokësore Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ka filluar regjistrimin e kandidatëve. Kandidatët që duan të bëhen pjesë e forcave të armatosura do të duhet të plotësojnë disa kritere që janë: të mos jetë i dënuar, të mos ketë kryer vepra penale, të mos jetë deportuar për kryerje vepre penale nga shtetet e huaja, mosha minimale 18 vjeç, të ketë kryer minimumi arsimin 9 vjeçar, të jetë i gjatë mbi 1.65 metra meshkujt dhe 1.60 metra femrat, etj.

Shtetasit që dëshirojnë të shërbejnë në Forcat e Armatosura si ushtarë/detarë aktiv, do të aplikojnë online, ose në postë, në seksionet e rekrutimit në qarqe, si dhe në Qendrën e Personel Rekrutimit. Aplikantët plotësojnë formularin e aplikimit, pranimit dhe marrin njoftimin për dokumentet e nevojshme, kuotat e rekrutimit, specialitetet, rajonet e rekrutimit, afatin e paraqitjes në Qendrën e Personel Rekrutimit për vijimin e procesit të pranimit, testimit e përzgjedhjes, etj. Vitet e fundit kërkesa për tu bërë pjesë e forcave të armatosura është rritur për shkak edhe përfitimeve ekonomike.

Ushtari i parë merr 60 mijë Lekë, 16 mijë Lekë trajtimi me ushqime, vështirësia e punës aty ku shërben ka një bonus, mund të marrë kredi me zero interes si dhe të përfitojë nga misionet e ndryshme. Po ashtu çdo ushtarak që ka plotësuar 15 vjet karrierë në FA dhe shkëputet nga FA për arsye të ndryshme merr statusin e ushtarakut dhe përfiton pension sumplementar deri në daljen në pensionin e pleqërisë.