
Ish-kryebashkiaku në arrati i Vorës, Agim Kajmaku lëviz lirshëm në Tiranë dhe në Vorë.
Ai është parë disa herë duke pirë kafe në Hotel Autostation në Vorë.
Pasi morën sinjalizim nga dy persona, pa lidhje me njëri-tjetrin, për praninë e Kajmakut në barin e mësipërm, Exit News e verifikoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e sinjalizimeve duke e parë Kajmakun të hyjë në këtë bar.
Kajmaku është parë gjithashtu një nga fundjavat e shkuara duke ecur në një rrugë kryesore në Tiranë, vetëm rreth 500 metra nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, i shoqëruar me një person tjetër.
Ai kishte veshur një kapele bejsbolli blu të errët dhe një xhaketë blu, me jakën e ngritur lart. Shoqëruesi i tij kishte veshur një xhup të kuq, me një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza. Fotografitë e mëposhtme me rezolucion të dobët janë bërë në këtë rast.
Pasi eci në një rrugë të populluar dhe të njohur, Kajmaku u fut në një bar-kafe. Exit News edhe në këtë rast verifikoi identitetin e tij.