Erebarë e Maqellarës e kthyer në “Erëmbeturina”. Banorët: Bashkia Dibër na ka harruar
Njësia Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës, vijon të ketë problemetë mëdha sa i përket shërbimit të grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturiave të konsumit të përditshëm. Ky pirg i madh mbeturinash ndodhet në fshatin Erebarë, i vlerësuar si një fshat me resurse të mëdha të turizmit natyror. Fshati ndodhet vetëm 9 kilometra nga qyteti i Peshkopisë e jo më shumë se 1 kilometër nga rruga nacionale Peshkopi – Tiranë.
Rruga e fshatit Erebarë është e asfaltuar ç’ka lehtëson mjetet e tërheqjes së mbeturinave të shkojnë aty. Por në fshat mungojnë kontejerët. Banorët thonë se janë të detyruar t’i hedhun mbeturinat në këtë vend pasi nuk kanë mundësi tjetër. Ata shprehen se i gjithë fshati i depoziton aty, ku herë herë edhe digjen flakë. Por kjo sipas banorëve rrit ndotjen në mjedis dhe përbën një burim të madh infeksioni.
Shërbimi i grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave në Bashkinë Dibër vijon të jetë një problem i akumuluar për shkak edhe të shtrirjes së madhe gjeografike të kësaj bashkie e terrenit jo të favorshëm.