Elbasani Feston Ardhjen e Pranverës me Ditën e Verës
Me muzikë, ngjyra dhe një atmosferë festive, Dita e Verës trokiti më hareshëm në sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit, ku u zhvilluan shumë aktivitete.
Vendasit janë bashkuar me qytetarë nga e gjithë Shqipëria për të shijuar ushqimet tradicionale dhe ëmbëlsirën e ballokumes, simbolin e kësaj feste, si dhe për të vendosur veroret me pe të bardhë e të kuq.
Në kryeqendrën e festës pagane, rrënjët e së cilës datojnë shekuj më parë, kremtimi ka nisur që në mbrëmjen e 13 marsit. Gjatë natës u ndez zjarri i madh dhe u çel Panairi i Ballokumeve.
Festimet vijuan me parakalimin e grupeve folklorike nga të gjitha trevat e vendit.
14 marsi lajmëron se pranvera ka ardhur. Është një ditë që kremton Mëmën Natyrë, bukuritë e saj, pjellorinë dhe fillimin e një cikli të ri të jetës, të gjitha këto rite që e kanë origjinën në paganizëm.