Ekzekutimi i 29-vjeçarit Ermir Dedja / Çfarë treguan pamjet filmike dhe si lëvizi makina e krimit? “Në Shënjestër” zbardh dosjen hetimore
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, i gazetares Klodiana Lala solli këtë të
martë detaje të reja nga vrasja e Ermir Dedjas, 29-vjeçarit që u ekzekutua
mbrëmjen e 20 majit në qytetin e Durrësit, një ekzekutim tipik me natyrë
mafioze, ku autorët zgjodhën ta qëllonin pas shpine me breshëri kallashnikovi. Çfarë treguan pamjet filmike në vendin e ngjarjes dhe si lëvizi makina e krimit? Sipas burimeve të emisionit ‘Në Shënjestër’, ajo që së pari e bëri të vështirë
krehjen e zonës ku ndodhi krimi, ishte fakti se në vendin e ngjarjes nuk kishte
kamera sigurie gjë që me siguri duhet ta kenë ditur edhe atentatorët të cilët
zgjodhën pikërisht këtë zonë të pastër nga kamerat e sigurisë për të mos pasur
asnjë dëshmi filmike të lëvizjeve të tyre të fundit. Një mungesë e çuditshme kamerash, që ndodh në një zonë shumë të rrahur të
qytetit të Durrësit me biznese dhe institucione publike. Por ndërsa qitësit kanë menduar se kishin kryer një vrasje të pastër, pa asnjë
dëshmitar okular përreth, apo sytë e kamerave që mund t’i shqetësonin, duket se
ato që i kanë tradhtuar kanë qenë disa kamera të tjera, të vendosur jo shumë
larg perimetrit të krimit. Pikërisht ato të një farmacie që regjistroi një automjet të çuditshëm që lëvizte
vazhdimisht në këtë orë të natës në zonën përreth. Makië e cila më pas rezultoi se ishte pikërisht ajo që u përdor në vrasjen e 29
vjeçarit, Ermir Dedja. Sipas të dhënave nga dosja hetimore “nga kqyrja paraprake e vendit të ngjarjes,
ajo që konstatohet është se në zonën e rrethuar të krimit, nuk ka kamera
sigurie. Por pas krehjes që iu bë një një kamere në fund të rrugës, u pa të lëvizte një
automjet ngjyrë e bardhë. Makinë e cila lëviz në sensin e kundërt, që pasi shkon në fund të rrugës,
kthehet dhe futet sërish aty. Automjet që më tej vihet re, të lëvizë në disa
akse të qytetit të Durrësit. Autorët e kishin pritur me orë të tëra në dalje të rrugës “Doktor Paskal
Prodani”, në lagjen nr 18 në Durrës, deri sa gjetën momentin e përshtatshëm kur
ai ishte i vetëm dhe po ngjitej në automjetin e tij tip BMË ngjyrë e zezë. Plumba të derdhur pas trupit të tij që tejshpuan edhe fasadën e qendrës
shëndetësore Që po të mos ishte për orën e vonë kur ndodhi krimi, mund të kishin rezultuar
fatal edhe për mjekët e kësaj qendre shëndetësore, dhoma e të cilëve ndodhej
pikërisht përballë trotuarit ku u qëllua 29-vjeçari. Aty ku edhe u gjet i pajetë trupi i tij, i mbuluar nga gjaku, dhe një paketë
cigaresh Malboro, e fundit që e kishte shoqëruar mesa duket në këtë jetë. Ajo që dukej qartë në këtë sulm me armë, është se viktima Ermir Dedja, ishte
plotësisht i papërgatitur për t’u mbrojtur ndaj një agresioni të tillë. Gjë që u pa edhe te sendet personale që iu gjetën me vete, gjatë kontrollit të
ushtruar nga ekspertët e kriminalistikës. Ku ai mesa duket më shumë ishte kujdesur të merrte gjërat e tij të përditshme,
sesa të krijonte një siguri për veten. Siç ishte edhe një qese me kanabis sativa, që iu gjet me vete në xhep, por jo
një armë që mund ta mbronte nga bëmat që kishte krijuar në përditshmërinë e tij,
nëse do të kishte të tilla. Çka tregonte se viktima nuk ishte edhe aq i shqetësuar për hijet që i vinin pas. Sipas të dosjes hetimore zbardhur nga emisioni “Në Shënjestër”, “pasi grupi
hetues shkoi në vendngjarje, fillimisht konstatoi aty një automjet tip BMW, që i
përkiste viktimës, Ermir Dedja, të cilit në trup në anën e kurrizit, iu gjetën
dy vrima tejshpuese plumbash. Njëra prej të cilave pa vrimë dalje. Kontroll i cili vazhdoi më tej edhe gjatë
autopsisë. Nga ku rezultoi se gjatë kontrollit fizik të bërë në rrobat e
viktimës u gjet edhe një qese brenda së cilës ndodhej një lëndë bimore e dyshuar
si bimë narkotike e llojit Canabis sattiva, e cila pas peshimit rezultoi 1.5
gram” Po kush ishte Ermir Dedja dhe cilët ishin precedentët e tij kriminalë? Kush
ishin personat që e ndiqnin për ta vrarë? Bazuar në kartelën e tij penale, Ermir Dedja rezulton se ishte një personazh me
rekorde të shumta kriminale, sidomos në fushën e narkotikëve gjë për të cilën ai
edhe ishte arrestuar në vitin 2015. Një ushtar me profil të padukshëm por që mund të ketë shërbyer për shumë punë,
për llogari të këtyre organizatave kriminale. Ai ishte një personazh në hije dhe nuk bënte pjesë në rangjet e njohura të
organizatave kriminale çka e bënte profilin e tij penal më të tërhequr në raport
me shumë viktima të ngjashme, të ekzekutuar më herët. Edhe pse nuk ishte i njohur në raportimet mediatike për aktivitetin e tij,
kërkimet rreth emrit të tij të çojnë në një ngjarje të ndodhur në zonën e
Shijakut në vitin 2017 ku bashkë me mikun e tij ai ra në pranga, për një
plagosje të ndodhur në këtë zonë. Ngjarje për të cilën ai akuzohej si përkrahës i autorit. Shijaku dhe vetë Durrësi të cilat mesa duket ishin edhe zonat që ai frekuentonte
më së shumti në punët e tij në botën e krimit. Aty ku prej dekadash kanë të shtrirë aktivitetin e tyre kriminal edhe disa nga
bandat më të rrezikshme dhe të fuqishme në Shqipëri të cilat operojnë pas vetes
me ushtarë të shumtë siç mund të ketë qenë edhe vetë viktima, Ermir Dedja. (BalkanWeb)