EKSLUZIVISHT NË PLATFORMËN E "MAT TV"

EKSLUZIVISHT NË PLATFORMËN E "MAT TV"

Një nga zonat e goditura nga zjarrvënia këtë verë ka qenë edhe ajo e Planit të Bardhë në Bashkinë e Klosit, ku një zjarr masiv, i dyshuar si i qëllimshëm, shkrumboi qindra hektarë pyll dhe ka lënë pas dëme kolosale. Pamjet e siguruara nga terreni dëshmojnë për një shkatërrim të plotë të pasurisë natyrore në këtë zonë, duke prekur pyllin me pisha mbi 50-vjeçare dhe dushqe që shtriheshin deri në Qafën e Buallit. Sipas informacioneve të mbledhura në terren, zjarri është përhapur me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke shkrumbuar gjithçka brenda vetëm tre orësh. Flakët e fuqishme nuk kursyen as varrezat e fshatit dhe përfshinë disa banesa të braktisura, duke krijuar një situatë alarmante për komunitetin. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse, punonjësve të pyjores dhe efektivëve të Ushtrisë, parandaloi një tragjedi më të madhe, duke arritur të shpëtonte disa banesa të banuara, të cilat u rrezikuan seriozisht nga avancimi i flakëve. Rrezikshmëria e situatës u shtua ndjeshëm nga afërsia e zjarrit me një segment të rëndësishëm të Rrugës së Arbrit. Për disa orë, mijëra drejtues automjetesh që kalonin në këtë aks janë përballur me rrezikun e drejtpërdrejtë nga flakët dhe tymi i dendur, duke krijuar një situatë kaotike dhe tejet të rrezikshme. Ndërkohë, përtej dëmit material dhe mjedisor, banorët e zonës ngrenë një shqetësim tjetër madhor: atë shëndetësor. Jashtë kamerës, ata shprehen të frikësuar nga rreziku i ndonjë infeksioni. Një erë e rëndë dhe e pakëndshme mbizotëron në të gjithë zonën e djegur, e cila dyshohet se vjen si pasojë e djegies së kafshëve të egra, si shpendë dhe zvarranikë, që nuk mundën t’i shpëtonin zjarrit.

Ky shqetësim nuk kufizohet vetëm tek banorët vendas. Edhe përdoruesit e Rrugës së Arbrit dhe të rrugës së vjetër nacionale kanë raportuar praninë e kësaj arome të padurueshme. Përballë këtij alarmi, komuniteti kërkon urgjentisht ndërhyrjen e instancave përkatëse. Ata apelojnë që një grup ekspertësh të inspektojë zonën e prekur dhe të hartojë një raport të detajuar mbi rrezikshmërinë që paraqet situata për shëndetin publik. Banorët e konsiderojnë këtë ngjarje një krim të mirëfilltë mjedisor dhe kërkojnë nga organet ligjzbatuese që të hetojnë me seriozitet maksimal për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti shkatërrimtar.