Efektivi 40-vjeçar i “Shqiponjave” bie nga muri gjatë aksionit për arrestimin e një të shumëkërkuari

Efektivi 40-vjeçar i “Shqiponjave” bie nga muri gjatë aksionit për arrestimin e një të shumëkërkuari

Një efektiv i forcave “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar në Kërçisht të Dibrës. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë janë futur në një banesë trekatëshe për të arrestuar autorin e dyshuar. Gjatë ndërhyrjes, efektivi i “Shqiponjave”, Gentjan Meda, 40 vjeç, është rrëzuar nga një mur rrethues, në tentativë për të kapur të shumëkërkuarin, duke pësuar dëmtime trupore. Efektivi i plagosur fillimisht ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Ndërkohë policia vuri në pranga 35-vjeçarin, Klodian Llomi (Mazari), pasi akuzohet për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali. Aksioni i policisë i zhvilluar gjatë natës ka zgjuar edhe banorët të cilët tregojnë atë çfarë kanë parë. 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata shqiptare, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vite e 7 muaj burg.