30 Maji është afati i fundit për të gjithë fermerët që ende nuk kanë aplikuar për të përfituar mbështetje financiare në sektorin e të mbjellave stinore, frutikulturës, vreshtarisë, bletarisë, gjedhëve, etj., si pjesë e skemës kombëtare mbështetëse të bujqësisë
Fermerët marrin fonde për fara e fidanë, bimët mjekësore, për kultivimin në sera, ku kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektar. Edhe fermerët e bimëve medicinale do të marrin 30 mijë lekë për hektar. Po ashtu në fuqi do të vijojë të jetë edhe skema e naftës pa taksa.
Me 1 mijë lekë për koshere do të mbështeten bletarët me jo më pak se 50 koshere. Ndërsa blegtorët që mbarështojnë viça do të përfitojnë nga 5 mijë lekë për krerë. Ata që mbarështojnë lopë do të përfitojnë 10 mijë lekë mbështetje për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa për dhi e dele financimi është 1200 lekë për krerë, për tufa jo më të vogla se 100 krerë.
Pas përfundimit të afatit, të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania, i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime. Pas kontrollit administrativ, aplikanti njoftohet mbi rezultatin e aplikimit (i kualifikuar/i skualifikuar).